Çfarë ndodh kur një organizatë rritet, por mënyra se si funksionon mbetet e njëjtë?
Për shumë organizata të pavarura kulturore në Maqedoninë e Veriut, kjo pyetje lind pas vitesh të tëra pune, zhvillimit të programeve, zgjerimit të audiencës dhe angazhimit të vazhdueshëm me komunitetet e tyre. Ndërsa aktivitetet rriten, shtohen edhe sfidat që nuk duken gjithmonë: koordinimi i ekipit, menaxhimi financiar, ndarja e përgjegjësive, dokumentimi i proceseve dhe planifikimi përtej projektit të radhës.
Skema e Granteve Boost, e zbatuar në kuadër të projektit Kultura për Zhvillim, i kushton vëmendje pikërisht këtij aspekti, shpesh të padukshëm, të punës kulturore. Në vend që të mbështesë prodhimin artistik, ajo u ofron organizatave mundësinë të forcojnë mënyrën se si funksionojnë, duke përmirësuar qeverisjen, planifikimin strategjik, komunikimin, menaxhimin financiar dhe zhvillimin e ekipit. Programi është i dedikuar për organizatat që veprojnë në fusha si artet pamore dhe skenike, teoria kritike, feminizmi dhe aktivizmi shoqëror, me synimin për të forcuar sektorin e pavarur kulturor në të gjithë Maqedoninë e Veriut.
Edhe pse vijnë nga fusha dhe përvoja të ndryshme, organizatat e mbështetura ndajnë një sfidë të përbashkët: nevojën që zhvillimi i tyre organizativ të ecë në hap me rritjen e programeve dhe aktiviteteve.
“E kuptuam se organizata jonë kishte arritur në një pikë kthese,” thotë Qendra Kreative Tintiri Mintiri. “Programet tona janë zgjeruar ndjeshëm, ndërsa kapacitetet organizative dhe sistemet tona të brendshme kishin mbetur të pandryshuara.”
Edhe pse vijnë nga fusha dhe praktika të ndryshme artistike, shumë organizata ndajnë një përvojë të ngjashme. Puna e tyre mbështetet në ekipe të vogla, procese joformale dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të individëve për të realizuar programe ambicioze. Me rritjen e organizatave, bëhet gjithnjë e më e qartë nevoja për të përcaktuar më qartë rolet dhe përgjegjësitë, për të përmirësuar komunikimin e brendshëm, për të forcuar procedurat financiare dhe administrative, si dhe për të krijuar më shumë hapësirë për planifikim strategjik.
Për Shoqatën për Kulturë IKON, ky proces do të thotë të dalë nga ritmi i pandërprerë i zbatimit të projekteve dhe të ndërtojë sisteme më të qëndrueshme menaxhimi. Schtrich, nga ana tjetër, synon të kalojë, siç e përshkruan vetë, “nga një organizatë që funksionon mbi bazën e intuitës në një organizatë me procese pune të planifikuara.” Ndërsa Shoqata Aqua sheh këtë program si një mundësi për të rishikuar mënyrën se si funksionon dhe për të ndërtuar një strukturë organizative më të fortë, si bazë për zhvillimin e saj afatgjatë.
Ndryshimet që po ndërmerr secila organizatë janë të ndryshme, sepse edhe nevojat dhe pikënisjet e tyre janë të ndryshme. Disa po hartojnë strategji dhe politika të brendshme, të tjera po përmirësojnë qeverisjen, komunikimin ose mënyrën e menaxhimit të ekipeve. Për secilën prej tyre, zhvillimi organizativ merr një formë të ndryshme, të përshtatur me realitetin dhe prioritetet e veta.
Për Qendren Kreative Tintiri Mintiri, rëndësia e këtij procesi është i qartë:
“Investimi vetëm në projekte individuale mund të na ndihmojë të realizojmë një film të mirë, një punëtori apo një aktivitet. Por investimi në organizatë bën që çdo projekt i ardhshëm të jetë më i mirë se ai i mëparshmi.”
Ky është artikulli i parë i një serie kushtuar organizatave të mbështetuna përmes Skemës së Boost Granteve. Në muajt në vijim do të ndjekim më nga afër rrugëtimin e tyre, sfidat me të cilat përballen, ndryshimet që po ndërmarrin dhe mënyrën se si zhvillimi organizativ po kthehet në një element kyç të punës së tyre.
Skema e Granteve Boost mbështetet në kuadër të projektit Kultura për Zhvillim të Qeverisë së Zvicrës dhe zbatohet nga Fondi Hartefakt.