Këtë qershor, No Apologies! vjen në Ballkan me shfaqje në Prishtinë (3 qershor), Shkup (6 qershor) dhe Beograd (9 qershor), duke sjellë një vepër performative në lëvizje që eksploron rrëfimet queer dhe trans në tri kontekste të ndryshme urbane. E prezantuar nga Heartefact, shfaqja bashkon teatrin, muzikën live dhe performancën në një formë që transformohet me çdo prezantim, e ndikuar nga publiku, hapësira dhe energjia e momentit.
Në qendër të saj qëndron një qasje e drejtpërdrejtë dhe pa kompromis ndaj identitetit, e ndërtuar mbi përvojën queer dhe trans. Shfaqja merr si pikënisje koncertin legjendar MTV Unplugged të Nirvana-s nga viti 1993, jo për ta rikrijuar atë në mënyrë nostalgjike, por për ta shpërbërë dhe rindërtuar në një formë të re dhe urgjente. Kujtesa, zëri dhe fragmentet kulturore përzihen në një performancë ku teatri, autobiografia, muzika dhe rituali takohen mes intensitetit të koncertit dhe rrëfimit intim.
E krijuar dhe interpretuar nga Emma Frankland, vepra e sheh identitetin si diçka që ndryshon vazhdimisht, jo si koncept për t’u shpjeguar, por si përvojë që ndodh dhe riformulohet live. Shfaqja shmang strukturat tradicionale dhe zhvillohet përmes ndërprerjeve, tensioneve dhe transformimeve të vazhdueshme. Pas suksesit dhe vlerësimit ndërkombëtar në Edinburgh Festival 2025, projekti vazhdon me regji nga Harry Clayton Wright dhe muzikë origjinale nga Keir Cooper, nën produksionin e Marlborough Productions.
Në thelb, No Apologies! Ngrit ceshtje se si identiteti queer dhe trans mund të bëhet i dukshëm dhe i jetuar përmes performancës, dhe si teatri mund të mbajë bashkë thyerjen dhe afërsinë pa ofruar përgjigje të gatshme. Shfaqja vendos në qendër praninë, atë moment të përbashkët, të papërsëritshëm, që krijohet mes performuesit, tingullit dhe publikut.
Një performancë mysafire e Heartefact me Emma Frankland, prodhuar nga Marlborough Productions, me mbështetjen e British Council.
No Apologies është prodhuar nga Marlborough Productions dhe mbështetet nga Attenborough Centre for the Creative Arts, The Old Electric, Northumbria University dhe Arts Council England. No Apologies – The Balkans realizohet me mbështetjen e programit Art in Action të British Council, i cili synon të forcojë lidhjet mes Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar përmes bashkëpunimit kulturor dhe kreativ.