Projekti Rebirth of Forbidden Histories (RoFH) – Rilindja e historive të ndaluara filloi me një program të organizuar në Beograd, Serbi, nga 1 deri më 4 shtator 2026. Programi përfshiu një aktivitet publik i shoqëruar me aktivitete, si dhe një takim të brendshëm të partnerëve të projektit. Projekti bashkoi shtatë organizata nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor me synimin për të hulumtuar dhe sjellë në vëmendje historitë queer të shekullit XX, të cilat janë të anashkaluara dhe te patrajtuara sa duhet përmes kërkimit shkencor, një arkivi digjital dhe tureve artistike në hapësira publike. Duke trajtuar përjashtimin e përvojave të personave LGBTIQ+ nga interpretimet mbizotëruese të së kaluarës, projekti synon të kontribuojë në njohjen e këtyre komuniteteve dhe në krijimin e një kuptimi më gjithëpërfshirës të historisë së përbashkët të rajonit.
Në Ballkanin Perëndimor, kujtesa për Luftën e Dytë Botërore, regjimet autoritare dhe konfliktet e viteve 1990 mbetet e fragmentuar dhe shpesh formësohet nga narrativa përjashtuese mbi baza etnike. RoFH hulumton historinë e persekutimit të komuniteteve queer nën regjimet fashiste, naziste dhe regjime të tjera autoritare, duke përfshirë burgosjen dhe vrasjen e burrave homoseksualë në kampet naziste, si dhe margjinalizimin e tyre në narrativat e pasluftës dhe në kulturat e kujtesës. Projekti shqyrton gjithashtu përvojat e personave LGBTIQ+ gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë kontributin e tyre në rezistencën kundër luftës, nismat feministe dhe format e ndryshme të solidaritetit që kapërcenin ndarjet kombëtare dhe etnike.
Ky aktivitet bashkoi artistë, studiues, aktivistë, edukatorë dhe punonjës të sektorit kulturor. Gjatë aktivitetit u prezantuan objektivat e projektit, metodologjia dhe aktivitetet e planifikuara, si dhe u zhvilluan diskutime mbi kujtesën, historitë e kontestuara dhe narrativat publike. Në një sesion pjesëmarrës, të pranishmit ndanë këndvështrimet e tyre mbi historitë e përfaqësuara pamjaftueshëm dhe qasjet ndaj kujtesës, duke kontribuar me ide dhe sugjerime për aktivitetet e ardhshme. Artistë queer nga rajoni prezantuan punimet e tyre dhe projektet në zhvillim, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim Pjesëmarrësit gjithashtu paten mundesi të shohin performancën Poša në Teatrin e Vogël “Duško Radović”, në kuadër të Javës së Krenarisë në Beograd. Kjo performancë eksploron ndërlidhjen mes identitetit trans dhe atij rom në Ballkan, duke pasqyruar fokusin e projektit te përvojat e grupeve të margjinalizuara. Programi përfundoi me një reflektim të përbashkët dhe me prezantimin e mundësive për përfshirje të mëtejshme.
Aktiviteti mblodhi 115 pjesëmarrës: 64 gra, 48 burra dhe 3 persona jobinarë, nga Serbia (94), Kosova (3), Kroacia (3), Bosnja dhe Hercegovina (8), Maqedonia e Veriut (4) dhe Mali i Zi (3).
Takimi i brendshëm i partnerëve mblodhi 20 përfaqësues të organizatave partnere për të diskutuar metodologjinë, detyrimet, koordinimin, procedurat financiare dhe hapat e ardhshëm të projektit. Gjatë këtij takimi u themelua edhe Këshilli Ndërdisiplinor për Kujtesën.
Partneriteti udhëhiqet nga Hartefakt dhe përbëhet nga Grupa Izađi (Serbi), Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kroaci, Juventas (Mali i Zi), Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë), Koalicija Margini (Maqedonia e Veriut) dhe Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë.
Financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian ose të Agjencisë Ekzekutive Evropiane për Arsimin dhe Kulturën (EACEA). As Bashkimi Evropian dhe as autoriteti financues nuk mund të mbahen përgjegjës për to.


