Kur mendojmë për mbështetjen e kulturës, zakonisht mendojmë për rezultatin përfundimtar të një projekti: atë që ndodh në skenë, në galeri ose në hapësira publike. Por pas çdo ekspozite, shfaqjeje, festivali apo programi në komunitet qëndron një organizatë që e bën të mundur realizimin e tyre.
Pikërisht këtë synon Programi i Granteve Institucionale i Heartefact.
Ndryshe nga grantet për projekte, mbështetja institucionale përkrah finansiarisht organizatat, duke u dhënë atyre kohën dhe burimet për të forcuar themelet që e bëjnë të mundur punën kulturore afatgjatë. Ndryshimet mund të ndodhin prapa skenës, por ato ndikojnë në cdo gjë që vjen më pas.
Një nga ndryshimet më të mëdha që organizatat përshkruajnë është mundësia për t’u përqendruar te vetja, jo vetëm te projekti i radhës.
Për LOKOMOTIVA – Qendra për Nisma të Reja në Art dhe Kulturë, kjo nënkuptoi forcimin e strukturës organizative, zhvillimin e procedurave të brendshme, qartësimin e roleve brenda ekipit dhe krijimin e një qasjeje më strategjike ndaj komunikimit dhe mbledhjes së fondeve. Për Organizatën për Art dhe Shkencë – Fakulteti i Gjërave që Nuk Mund të Mësohen (FRU), kjo do të thoshte që më në fund të kishte kapacitet për të zhvilluar plane strategjike, protokolle të brendshme, dokumente të qeverisjes dhe një strukturë organizative më të qartë. Qendra e Artit Bashkëkohor Shkup e përdori mbështetjen për të përmirësuar qeverisjen, për të forcuar qasjet ndaj mbledhjes së fondeve dhe për të investuar në zhvillimin e audiencës, duke e përgatitur organizatën për qëndrueshmëri afatgjatë edhe përtej grantit.
Disa organizata folën edhe për diçka më pak të prekshme, por po aq të vlefshme: kohën.
Kontrapunkt e përshkroi mbështetjen institucionale si një mundësi për të investuar në fusha që financimi i projekteve rrallë i mbulon, forcimin e sistemeve financiare dhe administrative, zhvillimin e stafit, thellimin e partneriteteve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe avokimin për politika kulturore më demokratike. Në vend që të punonte vazhdimisht drejt afatit të radhës, ekipi fitoi hapësirën për të reflektuar, planifikuar dhe zhvilluar iniciativa të reja sipas ritmit dhe prioriteteve të veta.
Granti gjithashtu u mundësoi organizatave të forcojnë mënyrën se si lidhen me komunitetet e tyre.
FRU filloi të zhvillojë protokolle të reja për menaxhimin e hapësirës së saj të kinemasë, të cilat nxisin bashkëpunim më të fortë me komunitetet lokale dhe sektorin më të gjerë kulturor. Tiiiit! Inc. – Shoqata për Promovimin e Aktivitetit të Grave investoi në mënyra të reja të punës me publikun, duke krijuar hapësira më të vazhdueshme për kulturën feministe, angazhimin e të rinjve dhe pjesëmarrjen e komunitetit. Ndërkohë, Kontrapunkt e përshkruan një nga ndryshimet më të mëdha si kalimin nga organizimi i ngjarjeve individuale drejt ndërtimit të marrëdhënieve afatgjata me artistë, studiues, aktivistë dhe publikun, të bazuara në besim dhe vazhdimësi.
Ajo që i lidh të gjitha këto përvoja është kuptimi se zhvillimi organizativ nuk është i ndarë nga puna kulturore, ai është pikërisht ajo që e bën të mundur atë.
Qeverisja e qartë, ekipet e shëndetshme, planifikimi strategjik, qëndrueshmëria financiare, komunikimi më i fortë dhe të mësuarit organizativ mund të mos jenë rezultatet më të dukshme të një granti, por ato përcaktojnë nëse organizatat mund të vazhdojnë të mbështesin artistët, t’u përgjigjen nevojave të komuniteteve dhe të krijojnë programe domethënëse kulturore shumë kohë pasi të ketë përfunduar një projekt i vetëm.
Duke investuar në zhvillimin organizativ, ne po kontribuojmë në ndërtimin e organizatave më elastike, më të qëndrueshme dhe më të përgatitura për të ardhmen. Ndërsa këto organizata bëhen më të forta, forcohet edhe sektori i pavarur kulturor në Maqedoninë e Veriut, duke krijuar baza më të forta për bashkëpunim, inovacion dhe ndikim të qëndrueshëm kulturor në të gjithë rajonin.
Projekti Kultura për Zhvillim synon të kontribuojë në zhvillimin e artit dhe në formësimin e normave socio-politike, duke e njohur kulturën si një mjet thelbësor për ndërtimin e një shoqërie më të hapur, demokratike dhe të ndërlidhur. Faza e parë e projektit zgjat nga fundi i vitit 2024 deri në fund të vitit 2028. Projekti mbështetet nga Qeveria e Zvicrës dhe zbatohet nga Hartefakt Fund.