Çfarë ndodh kur gazetarëve nga Kosova dhe Serbia u jepet mundësia të ulen bashkë, të ndajnë histori dhe të njihen me punën e kolegëve të tyre? Në fund të marsit, Programi i Vizitave Kosovë-Serbi në Beograd, i organizuar nga Heartefact, kishte pikërisht këtë qëllim, të krijoj hapësirë për dialog të hapur, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të ideve të reja.
Gjatë katër ditëve, gazetarë nga Kosova u takuan me kolegë nga media të ndryshme në Serbi, nga redaksi të konsoliduara deri te platforma të pavarura. Diskutimet me ekipet e NUNS-it, Agelast-it, Insajder TV, Danas-it, Radar-it dhe të tjerë ofruan një pasqyrë mbi qasje të ndryshme në gazetari dhe mundësinë për biseda të hapura rreth realitetit mediatik. Përveç kësaj, pjesëmarrësit vizituan Muzeun Kombëtar, Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Muzeun e viteve ’90, duke fituar një kontekst më të gjerë historik dhe shoqëror. Në vizitë morën pjesë gazetarë të cilët janë të angazhuar në media si Klan Kosova, TV Kanal 10, Euronews Albania, TV Dukagjini dhe Gazeta Express.
Programi u realizua në kuadër të projektit Fostering Cross-border Dialogue and Civic Engagement, i zbatuar nga Heartefact me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).







