Programi i Granteve Boost (Boost Grants Scheme)
Programi i Granteve Boost synon të forcojë kapacitetet organizative, operative dhe financiare të organizatave kulturore të pavarura.
Rreth thirrjes
Qëllimi i kësaj thirrjeje është forcimi i kapaciteteve organizative, operative dhe financiare të organizatave kulturore përmes ofrimit të mbështetjes së synuar, përfshirë ngritjen e kapaciteteve dhe burimeve që rrisin stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe rezistencën afatgjatë. Programi fokusohet në zgjidhjen e sfidave organizative që do t’u mundësojnë organizatave të punojnë në mënyrë më efektive, të forcojnë sistemet e brendshme dhe të rrisin aftësinë e tyre për planifikimin, menaxhimin dhe ofrimin e programeve cilësore kulturore.
Programi i Granteve Boost është i hapur për organizatat kulturore dhe artistike të regjistruara, të cilat demonstrojnë punë aktive programore dhe angazhim me komunitetet, kanë një vizion të qartë për zhvillim dhe synojnë të zgjidhin sfida specifike të brendshme në fusha të tilla si: menaxhimi, operacionet financiare, planifikimi strategjik, burimet njerëzore, komunikimi ose sistemet organizative.
Prioritet mund t’u jepet organizatave më të vogla ose atyre në fillim të veprimtarisë, organizatave që veprojnë jashtë kryeqytetit ose organizatave të udhëhequra nga (ose që punojnë me) grupe të nënpërfaqësuara.
Organizatat e kualifikuara janë ato që kontribuojnë në përmbajtje kulturore të cilësisë së lartë në fusha si: teoria kritike, feminizmi, artet pamore, performanca dhe aktivizmi social, ndikimi i të cilave shtrihet përtej komuniteteve lokale, duke ndikuar në narrativat socio-politike kombëtare dhe duke mbështetur zhvillimin kulturor dhe demokratik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Programi i Granteve Boost do të mbulojë shpenzimet e lidhura drejtpërdrejt me forcimin e kapaciteteve, sistemeve dhe proceseve të brendshme të organizatës. Kjo mund të përfshijë kosto për ekspertizë të jashtme, aktivitete për ngritjen e kapaciteteve, zhvillimin e mjeteve dhe procedurave të brendshme dhe burime të tjera që mbështesin udhëheqjen, menaxhimin financiar, planifikimin strategjik, burimet njerëzore ose sistemet e komunikimit. Të gjitha shpenzimet duhet të jenë qartësisht të lidhura me objektivat e propozuara për forcimin organizativ dhe të jenë proporcionale me aktivitetet e planifikuara.
Shpenzimet që nuk lidhen me zhvillimin organizativ, siç janë produksionet e programeve artistike, ngjarjet e njëhershme ose infrastruktura e palidhur me ngritjen e kapaciteteve, nuk janë të pranueshme.
Projekti Kultura për Zhvillim integron qëndrueshmërinë mjedisore, përfshirjen sociale, diversitetin dhe decentralizimin në të gjitha aspektet e aktiviteteve dhe menaxhimit të tij. Theksi vihet në kultivimin e praktikave gjithëpërfshirëse që mbështesin të rinjtë, gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara, ndërsa barazia gjinore mbetet një shtytës i rëndësishëm i kreativitetit dhe inovacionit.
Kush mund të aplikojë
Kush MUND të aplikojë:
- Të drejtë aplikimi kanë organizatat e shoqërisë civile nga fusha e kulturës dhe artit, të regjistruara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me të paktën tre vjet përvojë të dëshmuar në këto fusha.
Kushtet:
- Aplikanti duhet të jetë i regjistruar si person juridik në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
- Organizata duhet të jetë e regjistruar sipas Ligjit për Shoqatat dhe Fondacionet.
- Aplikantët duhet të kenë 3 vite paraprake punë operative dhe përvojë në realizimin e projekteve kulturore dhe artistike.
Kush NUK MUND të aplikojë:
- Aplikanti dhe/ose individët që në çfarëdo mënyre mbështesin ose kanë mbështetur sjellje dhe qëndrime diskriminuese, radikale, të dhunshme, raciste ose nacionaliste.
- Aplikanti që nuk është i regjistruar në përputhje me ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
- Aplikanti që nuk ka shlyer detyrimet ligjore në lidhje me kontributet publike, tatimet dhe taksat.
- Organizatat politike, fetare dhe organizatat e themeluara nga organizatat fetare.
- Kompanitë private.
- Individët.
- Institucionet publike nga fusha e kulturës të themeluara nga Republika e Maqedonisë së Veriut ose njësitë e vetëqeverisjes lokale.
- Përfaqësitë e organizatave të huaja të regjistruara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Aktivitete të pranueshme
Programi mbështet organizatat e pavarura kulturore dhe artistike duke mundësuar aktivitete që forcojnë kapacitetet, strukturat dhe sistemet e tyre të brendshme. Mbështetja përfshin, por nuk kufizohet në:
- Zhvillimin e strategjive organizative dhe planeve të veprimit, qartësimin e roleve të bordit dhe menaxhmentit, përmirësimin e proceseve të vendimmarrjes dhe definimin e roleve ekipore.
- Forcimin e komunikimit të brendshëm, praktikave të menaxhimit dhe politikave të brendshme për të përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm organizativ.
- Përmirësimin e menaxhimit financiar dhe sistemeve administrative, duke përfshirë mjetet për buxhetim, strategjitë për mbledhjen e fondeve, diversifikimin e të ardhurave, pajtueshmërinë ligjore, sistemet e raportimit dhe dokumentacionin.
- Përmirësimin e komunikimit, angazhimit të publikut dhe mësimit organizativ përmes strategjive të komunikimit, pranisë digjitale, sistemeve të monitorimit dhe vlerësimit, menaxhimit të njohurive dhe mjeteve të mësimit.
- Nisma për ngritjen e kapaciteteve dhe procese të lehtësuara zhvillimore që synojnë forcimin e lidershipit, qeverisjes dhe zhvillimit të ekipit.
Shënim i rëndësishëm: Thirrja nuk do të mbështesë dhe financojë organizatat që aktualisht marrin mjete në kuadër të një skeme tjetër grantesh të projektit Kultura për Zhvillim. Aplikimet që promovojnë ose mbështesin sjellje dhe qëndrime diskriminuese, radikale, të dhunshme, raciste ose nacionaliste do të diskualifikohen automatikisht.
Buxheti
Shuma totale e grantit për organizatë e mbuluar nga Heartefact është deri në 1.950.000 MKD, të cilat do të paguhen në një periudhë prej dy vjetësh, në dy këste vjetore.
Aplikantët duhet të demonstrojnë gatishmëri për të siguruar një kontribut minimal prej të paktën 20% të buxhetit total të kërkuar të projektit të mbuluar nga HF, i cili mund të përfshijë mjete financiare, mbështetje në mallra dhe shërbime (in-kind), bashkëfinancim nga donatorë të tjerë ose mjete të mbledhura në mënyrë të pavarur nga organizata.
Dërgimi i aplikimit
Aplikantët duhet të dorëzojnë një Propozim koncepti të shkurtër (Concept note) dhe një buxhet preliminar. Vetëm organizatat që do t’i dorëzojnë këto dokumente deri më 09 mars 2026 në orën 23:59 do të merren parasysh për fazën tjetër.
Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen përmes: [email protected]
Subjekti i emailit: Emri i organizatës – Numri i referencës së thirrjes – Emri i thirrjes
Dokumentet e nevojshme për aplikim:
- Propozim koncepti (Concept Note) i nënshkruar
- Propozim buxheti (në formatin Excel)
- Gjendja aktuale jo më e vjetër se 6 muaj.
Dokumentet për aplikim janë në dispozicion në gjuhën angleze.