Pas vizitës së gazetarëve nga Kosova në Beograd në muajin mars, në fund të majit u realizua edhe vizita kthyese në Prishtinë, në kuadër të programit Reconnection Kosovo–Serbia Visiting Program të organizuar nga Heartefact. Gjatë katër ditëve, gazetarët nga Serbia patën mundësinë të njihen me skenën mediale të Kosovës, të bashkëbisedojnë me kolegë/e nga redaksi të ndryshme dhe të fitojnë një pasqyrë më të gjerë mbi kontekstin shoqëror dhe politik në të cilin funksionojnë mediat në Kosovë.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit nga Serbia u takuan me përfaqësues të mediave, organizatave dhe iniciativave kulturore të ndryshme në Kosovë. Vizitat në redaksitë e Teve1, Kosovo 2.0, Klan Kosova, KTV/KOHA ofruan hapësirë për diskutime mbi sfidat e gazetarisë, politikat editoriale dhe peizazhin mediatik në Kosovë. Përveç kësaj, gazetarët patën mundësinë të bisedojnë me profesionistë të medias si Fitim Gashi, gazetar dhe drejtor ekzekutiv i Sbunker, Serbeze Haxhiaj, gazetare, Kosovë Gjoci, korrespondent i Euronews nga Kosova, Ridvan Emini nga Dukagjni dhe Insituti Octopus si dhe Isak Vorguçić, gazetar dhe drejtor i radios KiM.
Gjatë programit u organizua edhe një takim i përbashkët me gazetarët që kishin marrë pjesë më herët në vizitën në Beograd, duke forcuar më tej lidhjet profesionale dhe duke hapur hapësirë për bashkëpunim dhe shkëmbim të ardhshëm mes profesionistëve të medias nga Serbia dhe Kosova.
Programi përfshiu gjithashtu vizita në organizata dhe hapësira që merren me kulturën e kujtesës dhe ballafaqimin me të kaluarën, përfshirë Children of War Museum, Youth Initiative for Human Rights (YIHR), Reporting House dhe Kino Armata. Pjesëmarrësit vizituan edhe Graçanicën për të fituar një kuptim më të gjerë të kontekstit shoqëror dhe politik të Kosovës.
Në vizitë morën pjesë gazetarë nga media si portali Nova.rs, Nedeljnik dhe Danas, si dhe gazetarë freelance dhe studentë të shkencave politike.
Ky program u realizua në kuadër të projektit “Fostering Cross-border Dialogue and Civic Engagement”, të cilin Hertefakt e zbaton me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).









