Si pjesë e gjeneratës së re të Fellowship Programit Kosovë-Serbi, Heartefact ka përzgjedhur pesë bursistë të cilët do të eksplorojnë narrativa të reja dhe konstruktive në rajon. Ky cikël fokusohet në tema si të drejtat e grave, drejtësia tranzicionale, narrativat mediatike, lëvizjet shoqërore dhe shëndeti mendor.
Gjatë periudhës tremujore të hulumtimit, pjesëmarrësit do të kalojnë një muaj në Beograd ose Prishtinë. Përgjatë programit, ata do të angazhohen me perspektiva të ndryshme, do të zhvillojnë hulumtimet e tyre dhe do të kontribuojnë në ndryshimin e narrativave dominuese duke sjellë njohuri të reja në diskursin publik.
Pesë bursistet e përzgjedhur nga Kosova dhe Serbia që do të marrin pjesë në grupin e ri të programit janë:

Aleksandra Radovanović
Aleksandra Radovanović ka ndërtuar një karrierë multidisiplinare që përfshin analizën e të dhënave dhe psikoterapinë. Ajo e nisi rrugën e saj profesionale duke punuar në burimet njerëzore dhe më pas e kombinoi këtë përvojë me analizën e të dhënave, duke ofruar të dhëna strategjike dhe njohuri për njerëzit në industrinë globale të zhvillimit. Më pas kaloi në psikoterapi dhe aktualisht drejton një praktikë private të fokusuar në terapi individuale përmes një qasjeje konstruktiviste. Përveç kësaj, është anëtare e një OJQ-je me bazë në Novi Sad që, ndër të tjera, ofron mbështetje psikologjike për të rinjtë nga grupe te margjinalizuara.
Interesimi e saj profesionale fokusohen në mënyrën se si sistemet e shëndetit mendor strukturohen, zbatohen dhe përjetohen në kontekste të ndryshme socio-politike. Në veçanti, ajo është e interesuar të shqyrtojë se si trajtohet shëndeti mendor në Kosovë dhe Serbi, duke eksploruar boshllëqet sistemike si dhe praktikat inovative. Duke krahasuar këto kontekste fqinje, ajo synon të identifikojë fusha për mësim të ndërsjellë dhe të kontribuojë në zhvillimin e kornizave më të qasshme, përgjeshme dhe më të përshtatura kulturalisht për shëndetin mendor në rajon.
Fjalë kyçe: shëndeti mendor, mësimi i ndërsjellë, trauma kolektive, psikoterapi
Ana Milosavljević
Ana Milosavljević është gazetare dhe aktiviste me bazë në Beograd. Ajo raporton për lëvizjet shoqërore dhe zhvillimet politike në Serbi dhe rajon, ndër to, ka mbuluar lëvizjen e protestave studentore për The Guardian.Artikujt e saj janë publikuar edhe në median online serbe Mašina. Në vitin 2024, ajo përfundoi studimet master në gazetari në Universitetin Katolik në Lisbonë, Portugali, ku mbrojti tezën e saj mbi mbulimin mediatik amerikan të luftës në Ukrainë.
Projekti kërkimor i Anës, i realizuar në bashkëpunim me Rozafa Maliqin nga Prishtina, shqyrton lëvizjet protestuese të vitit 1968 në ish-Jugosllavi. Studimi i tyre analizon se si protestat në Beograd dhe Prishtinë u zhvilluan në mënyra të ndryshme gjatë një momenti të kryengritjes globale dhe eksploron se si këto dinamika historike vazhdojnë të ndikojnë narrativat politike sot, përfshirë vazhdimësinë e sentimentit anti-shqiptare në lëvizjet bashkëkohore protestuese në Serbi. Të dyja janë anëtare të Rrjetit të Solidaritetit Ballkanik, një platformë që lidh aktivistë, studiues dhe lëvizje shoqërore në të gjithë rajonin kundër nacionalizmit.
Fjalë kyçe: nacionalizmi, protestat, sentimenti anti-shqiptare, narrativat politike


Donjeta Rexhbogaj
Donjeta Rexhbogaj është hulumtuese ligjore dhe shkrimtare nga Kosova, e fokusuar në drejtësinë tranzicionale, të drejtat e njeriut dhe kujtesën pas konfliktit. Ajo ka zhvilluar kërkime në Qendrën Evropiane për Trajnim dhe Hulumtim për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Grazit, duke shqyrtuar rolin e institucioneve gjyqësore të internacionalizuara në sistemin e drejtësisë pas konfliktit në Kosovë, dhe ka punuar si monitoruese gjyqësore dhe hulumtuese ligjore me BIRN Kosova. E pasionuar pas shkrimit, ajo eksploron drejtësinë, pajtimin dhe kujtesën pas konfliktit përmes narrativave analitike dhe reflektuese.
Projekti i saj në kuadër të Fellowship Programit, “Gratë që shkruajnë drejtësinë”, hulumton se si gazetaret gra në Kosovë dhe Serbi formësojnë narrativat publike mbi luftën, drejtësinë dhe proceset pas konfliktit. Përmes intervistave cilësore, analizës së narrativave dhe rishikimit të mediave, hulumtimi dokumenton përvojat profesionale dhe sfidat etike me të cilat përballen gazetaret që raportojnë për krimet e luftës, të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë. Duke nxjerrë në pah këto përvoja, projekti synon të fuqizojë zërat e grave në formësimin e kujtesës tranzicionale dhe të nxisë një diskutim publik më të nuancuar mbi drejtësinë, përgjegjësinë dhe pajtimin në rajon.
Fjalë kyçe: drejtësia tranzicionale, gazetaria, perspektiva e grave, narrativat mbi luftën
Ljiljana Todorović
Ljiljana Todorović Jovanović është themeluese dhe drejtoreshë e FemIn kolektiv në Požarevac, Serbi, një organizatë e dedikuar për edukimin feminist, parandalimin e dhunës në bazë gjinore, kulturën e kujtesës, ndërtimin e paqes dhe drejtësinë tranzicionale. Ajo ka një prapavijë profesionale në Inxhinieri të Shëndetit Mjedisor dhe ka punuar për 15 vite në një laborator biokimie përpara se t’i rikthehej studimeve akademike. Aktualisht është në vitin e dytë të studimeve në Komunikologji. Puna e saj fokusohet në historitë personale të grave, politikat e kujtesës dhe mënyrat se si përvojat intime reflektojnë transformime më të gjera shoqërore dhe politike në shoqëritë pas konfliktit. Ajo ka marrë pjesë në programe rajonale dialogu dhe pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë Shkollën Feministe Pranverore të organizuar nga Qendra Alternative për Vajza. Gjatë programit të Studimeve Feministe në Qendrën për Studime të Grave, ajo inicioi dhe koordinoi publikimin “Gjyshja ime partizane”, një projekt rajonal që dokumenton dëshmitë e mbesave të grave që luftuan në luftën antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore në ish-Jugosllavi.
Projekti shqyrton se si trashëgimitë antifashiste të grave ruhen dhe riinterpretohen ndër breza në kontekstin e rishikimit historik. Si fotografe dokumentare, Ljiljana integron tregimin vizual në hulumtimin dhe aktivizmin e saj. Projekti i saj aktual, “Arkivi i Shtëpisë së Paqes”, eksploron kujtimet e bashkëjetesës midis grave serbe dhe shqiptare para luftërave të viteve 1990, duke përdorur arkiva personale dhe tregim pjesëmarrës për të nxitur dialogun dhe për të sfiduar narrativat nacionaliste.
Fjalë kyçe: rishikimi historik, perspektiva e grave, bashkëjetesa, tregimi pjesëmarrës


Rozafa Maliqi
Rozafa Maliqi është organizatore komuniteti, menaxhere kulturore dhe hulumtuese. Ajo studioi Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan në Bullgari. Për më shumë se 15 vite, ajo ka punuar në iniciativa kulturore grassroots në Kosovë, krahas projekteve kërkimore dhe botuese, si dhe një periudhe në Vietnam duke dhënë mësim të gjuhës angleze. Ajo ishte pjesë e kolektivit që themeloi Termokiss dhe aktualisht punon me Kino Armata në Prishtinë. Rozafa është veçanërisht e interesuar në proceset kolektive dhe mundësitë që lindin aty ku zhvillohet puna komunitare.
Projekti i saj kërkimor, i zhvilluar në bashkëpunim me Ana Milosavljević, shqyrton se si vala globale e kryengritjeve të vitit 1968 u manifestua në ish-Jugosllavi, duke marrë forma të ndryshme në qendrën politike në Serbi dhe në periferinë e margjinalizuar, Kosovë, dhe çfarë kjo zbulon për dinamikat e federatës. Të dyja studiueset janë anëtare të Rrjetit të Solidaritetit Ballkanik, dhe projekti synon të aktivizojë një bisedë më të gjerë të lidhur me punën dhe solidaritetet e ndërtuara përmes këtij rrjeti.
Fjalë kyçe: vala globale e kryengritjeve të vitit 1968, nacionalizmi, protestat, studentët
Programi është zbatuar në kuadër të projektit “Fostering Cross-border Dialogue and Civic Engagement”, i realizuar nga Heartefact me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).