Nga data 23 deri më 26 tetor 2025, Heartefact organizoi Kosovo–Serbia Visiting Program, i cili u mbajt në Beograd. Programi mblodhi gjashtë pjesëmarrëse dhe pjesëmarrës nga Kosova – aktivistë, artistë dhe hulumtues/e – gjatë një vizite katërditore të dedikuar të drejtave të grave, barazisë gjinore dhe parandalimit të dhunës seksuale.
Gjatë qëndrimit të tyre, pjesëmarrësit u takuan me organizata kryesore feministe dhe për të drejtat e njeriut nga Beogradi, përfshirë Qendrën Autonome të Grave dhe BeFem, si dhe me aktiviste si Hristina Cvetinčanin Knežević, krijuese e platformës Feminizmi nga palestra ‘’Feminizam iz teretane’’. Takimet ofruan një mundësi të vlefshme për shkëmbim njohurish, përvojash dhe praktikash të lidhura me avokimin, organizimin feminist dhe angazhimin publik.
Ngjarja kryesore e vizitëa ishte pjesëmarrja në konferencën rajonale Yes Means Yes, e cila mblodhi aktivistë dhe ekspertë nga Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Ngjarja hapi hapësirë për dialog mbi përkufizimin e ngacmimit seksual brenda kuadrit ligjor të këtyre vendeve, si dhe mbi kuptimin më të gjerë shoqëror dhe kulturor të pëlqimit/konsentit dhe dhunës seksuale. Gjatë konferencës, pjesëmarrësit e programit patën mundësinë të takoheshin me anëtaret e organizatës Institute 8th of March, një organizatë e njohur aktiviste nga Sllovenia, të cilat ndanë përvojën e tyre në fushat e fushatave, avokimit, të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Përveç kësaj, pjesëmarrësit zhvilluan biseda me aktiviste nga Serbia, duke përfshirë Ljiljana Todorović Jovanović nga kolektivi FemIn nga Požarevaci dhe Aneta Đukić nga Shoqata Fenomena nga Kraljevo. Pjesëmarrësit kontribuan me perspektiva nga fusha e drejtësisë, sociologjisë, shkencave humane, artit, medias dhe të drejtave të njeriut, duke nxitur një shkëmbim multidisiplinar idesh dhe strategjish.
Përveç sesioneve formale, programi krijoi hapësirë edhe për rrjetëzim dhe bashkëpunim informal. Pjesëmarrësit krijuan lidhje të reja profesionale, eksploruan partneritete të mundshme dhe reflektuan mbi sfidat e përbashkëta rajonale dhe mundësitë për solidaritet.
Përveç takimeve tematike të të gjithë visiting program-it, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin edhe ngjarje të rëndësishme kulturore, si performanca Naš sin në Heartefact House, si dhe ekspozita Milestones to Modernity: Art of Society 1900–1945 në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Beograd.
Pas kësaj vizite, Kosovo–Serbia Visiting Program do të vazhdojë në dhjetor 2025, kur Heartefact do të organizojë një vizitë të kthimit në Prishtinë, ku pjesëmarrës nga Serbia do të takohen me organizata dhe aktivistë nga Kosova, duke forcuar më tej bashkëpunimin ndërkufitar dhe aleancat feministe në rajon.
Ky program u zhvillua në kuadër të projektit Fostering Cross-border Dialogue and Civic Engagement, që Heartefact e zbaton me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).









