Deri në dhjetor 2024, dhjetë pjesëmarrës të Programit të Vizitave Kërkimore Kosovë-Serbi përfunduan projektet e tyre kërkimore. Ky program bashkoi pesë studiues nga Serbia dhe pesë nga Kosova me qëllimin e nxitjes së bashkëpunimit rajonal dhe krijimit të një platforme për individët e motivuar për të kryer kërkime mbi marrëdhëniet midis dy shoqërive. Temat që ata eksploruan përfshijnë trashëgiminë kulturore, ballafaqimin me të kaluarën, artin socialisht të angazhuar, nacionalizmin në muzikë dhe kulturën pop, dhe më shumë.
Në qershor 2024, si pjesë e programit, grupi nga Serbia vizitoi Prishtinën dhe Graçanicën, ndërsa grupi nga Kosova vizitoi Beogradin. Gjatë këtyre vizitave, studiuesit u angazhuan me mbi 20 organizata, profesorë universiteti, aktivistë dhe artistë. Ata patën mundësinë të takohen me akademikë, punonjës të kulturës dhe aktivistë si Jellena Llonçar, Idro Seferi, Jeta Xharra, Vlladimir Arsenijeviq, Vesa Qena, Sinisha Vollareviq, Milla Mihajlloviq, Enver Petrovci, Shpëtim Selmani dhe Visar Krusha.
Studiuesit gjithashtu vizituan disa organizata, përfshirë Qendrën për të Drejtën Humanitare, Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP), Institutin për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), Këshillin Kombëtar të Rinisë së Serbisë (KOMS), Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Qendrën për Politika Evropiane (CEP), BIRN Kosovë, Kosovo 2.0, Institutin Musine Kokalari, Qendrën Multimedia, Artpolis, Integra, Nismën për Historinë Gojore, Fondacionin 17, Civil Rights Defenders dhe organizata të tjera. Këto vizita shërbyen si bazë për hulumtimet e pjesëmarrësve, të cilat ata i zhvilluan dhe përfunduan gjatë muajve në vijim. Më poshtë, mund të gjeni biografitë e pjesëmarrësve të programit dhe lidhjet për të shkarkuar punimet e tyre kërkimore përfundimtare:
Nemanja Kidžin, Beograd, Serbi

Nemanja Kidžin është kandidat për doktoraturë në psikologji në Universitetin e Beogradit dhe bashkëpunëtor hulumtues në Institutin e Psikologjisë në Beograd. Kryesisht është marrë me ndikimin psikologjik të aktrimit në ndjeshmëri, personalitet dhe përvoja disociuese, megjithëse fusha e tij e kërkimit është më e gjerë dhe përfshin studimin e aktrimit dhe teatrit nga këndvështrime të ndryshme të shkencave sociale. Në këtë projekt, Nemanja eksploroi punën e aktorëve dhe aktoreve të teatrit, si dhe organizatave nga Kosova dhe Serbia, të cilat trajtojnë tema të angazhuara shoqërore në punën e tyre artistike. Duke marrë parasysh historinë e bashkëpunimit ndërmjet shoqërive nga Serbia dhe Kosova, tema e hulumtimit të Nemanjës ishte fokusuar në atë se si duket ky bashkëpunim, cilat janë qëllimet e tij dhe cilat janë efektet e tij. Organizatat artistike dhe joqeveritare nga të dyja komunitetet po arrijnë një bashkëpunim të frytshëm, i cili spikat në raport me klimën politike të injorancës dhe izolimit në të cilën veprojnë. Projektet e përbashkëta në të cilit punojnë, pavarësisht kufijve politikë, mbushin vakumin në komunikim dhe kanë një efekt emancipues në shoqëri. Konteksti politik dhe social në të cilin krijojnë ka një funksion të shumëfishtë. Nga njëra anë, ajo paraqet një faktor kufizues dhe pengesë për arritje më të mëdha, ndërsa nga ana tjetër, njohja e strukturave politike është një nga qëllimet kryesore të punës së tyre.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Albulena Mavraj, Prishtinë, Kosovë

Albulena Mavraj është gazetare e cila ka përvojë kryesisht ne mediet e shkruara në Kosovë dhe ka raportuar kryesisht për çështjet ekonomike dhe politike. Ajo ka diplomuar ne në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ne gazetari. Po ashtu, ka përfunduar dhe studimet master ne Komunikim Masiv dhe Gazetari. Ajo ka qenen bursiste e Bashkimit Evropian, ku përmes programit te ERASMUS ka ndjekur studimet për një semestër ne Norvegji, konkretisht ne Kolegjin “NLA” në programin e Gazetarisë Globale. Albulena synon të eksplorojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u fokusuar në politikat dhe statistikat e eksportit dhe importit. Përkundër sfidave të vazhdueshme politike me të cilat janë përballur dhe vazhdojnë të përballen Kosova dhe Serbia në rrugën e tyre drejt paqes, tregtia ndërmjet këtyre dy vendeve mbetet më e rëndësishmja si në eksport ashtu edhe në import mes dy shteteve. Albulena do të përdorë një qasje cilësore në hulumtimin e saj, duke kryer intervista me palët relevante të interesit nga Kosova dhe Serbia.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Nevena Rudinac, Beograd, Serbi

Nevena Rudinac është një hulumtuese dhe aktiviste, veçanërisht e interesuar për temën e ballafaqimit me të kaluarën. Punon në Iniciativën e të rinjve për të drejtat e njeriut në Serbi, ku merr pjesë në zhvillimin e Programit të Drejtësisë Tranzicionale. Ka diplomuar dhe ka magjistruar në psikologji në Universitetin e Beogradit, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet master në shkenca politike në Fakultetin për Media dhe Komunikim. Puna e saj trajton kujtimet e kontestuara kolektive të luftës në Kosovë, veçanërisht dallimet në narrativat ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Punimi thekson se si kujtimet kolektive formohen nga interesat politike dhe sa të rëndësishme janë ato për ndërtimin e kombit, dhe nuk është për t’u habitur që shqiptarët e Kosovës e shohin luftën si „çlirim“, ndërsa serbët e Kosovës e përjetojnë atë përmes prizmit të „viktimës“. Përveç kësaj, punimi ilustron se si Aktivistët/et që avokojnë për t’u përballur me të kaluarën sfidojnë këto narrativa dominuese, shpesh të mbështetura nga elitat politike, duke u dhënë zë grupeve të margjinalizuara, viktimave të dhunës seksuale dhe lëvizjeve kundër luftës. Hulumtimi nxjerr në pah sfidat me të cilat përballen aktivistët në përpjekjen për të ndryshuar kujtimet e rrënjosura thellë të luftës, të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht me identitetet personale dhe politike.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Merita Hasani, Mitrovicë, Kosovë

Merita Hasani është profesioniste ligjore nga Mitrovica, me përvojë të gjerë si asistente ligjore dhe hulumtuese. Ajo ka një sfond në Drejtësinë Tranzicionale të lidhur me konfliktin Kosovë-Serbi dhe është avokate aktive feministe, e angazhuar në projekte që adresojnë çështjet e grave në Ballkan. Gjatë pesë viteve të fundit, ajo është përkushtuar në promovimin e barazisë gjinore dhe drejtësisë sociale përmes aktivizmit dhe punës vullnetarizëm. Merita gjithashtu ka përfunduar një praktikë në Qendrën për Ligjin Humanitar në Beograd, duke fituar njohuri për të drejtat e njeriut dhe avokimin ligjor. Hulumtimi i saj shqyrton sfidat ligjore që hasin serbët e Kosovës në lidhje me të drejtat e qytetarisë dhe mënyrën se si këto sfida ndikonin në paqen dhe konfliktin në rajon. Ajo kërkon të theksojë rëndësinë e trajtimit të padrejtësive ligjore dhe nxitjes së dialogut dhe pajtimit në një rajon me histori të ndërlikuar.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Katarina Mladenović, Beograd, Serbi

Katarina Mladenović ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd, drejtimin e Menaxhmentit dhe Produksionit të Radios, Teatrit dhe Kulturës dhe studimet master në Arkitekturë dhe Dizajn të Skenave në Fakultetin e Shkencave Teknike në Novi Sad. Ka marrë pjesë në prodhimin e projekteve të ndryshme kulturore në Serbi, pas së cilës ka vazhduar shkollimin e saj në Indonezi, ku në vitin 2023 ka diplomuar me diplomë master në antropologji në Universitetin Gadjah Mada me fokus hulumtues në antropologjinë hapësinore dhe trashëgiminë e peizazhit kulturor. Në këtë projekt, hulumtimi i saj fokusohet në ndërthurjen e identitetit kombëtar, përkatësisë dhe peizazheve emocionale të shoqërive pas konfliktit në kontekstin e Serbisë dhe Kosovës. Katarina studion se si narrativat historike, traumat kolektive dhe konfliktet e kaluara përjetësojnë mosbesimin dhe pengojnë përpjekjet drejt pajtimit. Hulumtimi i saj fokusohet në krizat e identitetit, veçanërisht në atë se si frika nga „tjetri“ formon identitetin kombëtar dhe marrëdhëniet gjeopolitike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo gjithashtu shqyrton ndikimin e rëndësisë kulturore, lidhjeve territoriale dhe miteve historike në krenarinë kombëtare dhe kujtesën kolektive, gjë që ndikon ndjeshëm në marrëdhëniet aktuale ndërmjet këtyre dy shoqërive.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Butrint Avdyli, Pejë, Kosovë

Butrint Avdyli është gazetar nga Peja, Kosovë. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë dhe ka vazhduar studimet master në AAB College. Që nga viti 2016, Butrinti punon për Telegrafi, median më të madhe online në Kosovë, fillimisht si gazetar dhe aktualisht si redaktor. Gjatë karrierës së tij, Butrinti ka realizuar shumë intervista me personalitete të njohura dhe ka mbuluar tema të rëndësishme të lidhura me kulturën, artin, rininë, si dhe çështje mjedisore dhe shëndetësore. Ai është fitues i dy çmimeve prestigjioze: “Historia më e Mirë Video” në konkursin e gazetarisë të organizuar nga RYCO dhe Deutsche Welle në vitin 2023, dhe Çmimi për Media në Kosovë nga Platforma e Ndërtimit të Besimit (Trust Building), organizuar nga UNMIK, përkushtimit të tij të jashtëzakonshëm ndaj gazetarisë. Përveç punës së tij mediatike, Butrinti kontribuoi në RYCO në vitin 2024 duke prodhuar disa artikuj për Platformën Hajde. Ai ka siguruar me sukses dy grante për gazetari të dhëna nga CBM dhe USAID Kosova. Në hulumtimin e tij, Butrinti dëshironte të nxirrte në pah arritjet e artistëve shqiptarë në skenën e gjallë kulturore të Beogradit, me një fokus të veçantë te trashëgimia e aktorit Bekim Fehmiu. Qendrore në këtë eksplorim ishin intervistat e thelluara me aktorë kulturorë relevantë që ishin të njohur me trashëgimitë e skenës së filmit dhe teatrit post-jugosllav.
Puna e tij u botua në portalin Telegrafi. Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Anđelija Stanimirović, Niš, Serbi

Anđelija Stanimirović ka diplomuar në Studimet e Komunikimit në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Nishit. Aktualisht është duke studiuar për master në Zgjedhjet dhe Fushatat Zgjedhore në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Fusha e saj e interesit akademik përfshin studimin e formave të ndryshme të propagandës, proceseve të formimit të identitetit dhe ideologjive politike. Në hulumtimin e saj, Anđelija analizon praninë e nacionalizmit në diskursin publik dhe muzikën popullore, si dhe mënyrën se si formohen identitetet nën ndikimin e narrativave propagandistike dhe fushatave politike, veçanërisht tek të rinjtë. Puna, e bazuar në hulumtime në terren dhe teorike, identifikon shembuj të shumtë të narrativave të dëmshme që mund të kontribuojnë në nxitjen e konfliktit ndërmjet komunitetit serb dhe shqiptar në territorin e Kosovës. Të rinjtë paraqesin një kategori veçanërisht të cenueshme për shembuj të tillë, si një grup në një moshë specifike në të cilën formohen qëndrime dhe identitete. Kështu që pikërisht ata shpesh bëhen pjesëmarrësit kryesorë në incidentet ndëretnike.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Azem Deliu, Prishtinë, Kosovë

Azem Deliu është diplomuar për letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe punon si Drejtor Ekzekutiv Kreativ në Horizon Plus. Azemit është shpërblyer me çmimin prestigjioz për studentët e dalluar për përmbledhjen e tij të parë me poezi, „Funerali i shiut“ (2013). Romani i tij i parë, „Puthësi i paligjshëm“ (2016), është bërë bestseller kombëtar dhe tashmë është përkthyer në gjuhën angleze. Interesi për autorin është në rritje edhe në vende të tjera. Mediat franceze e përshkruan atë si „një autor të madh nga një vend i vogël“ dhe „një yll i ri i letërsisë evropiane“. Romani i tij „Shënimet e krimbit Smolinski“ është përkthyer në gjuhën serbe, bullgare, maqedonase dhe turke dhe është përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsinë në vitin 2020. Azemi kishte për qëllim të analizonte artin e rrugës dhe brohoritjet e grupeve të sportdashësve në Serbi, në mënyrë që të reflektonte mbi mesazhet nga „ana tjetër“, si dhe mesazhet nga grupet e tifozëve dhe identitetet e tyre kolektive. Azemi ka përdorur teknikat e letërsisë krahasuese për të krahasuar intertekstualitetin, ndërkulturalitetin, sferat e ndikimit dhe marrëdhëniet ndërmjet shprehjeve të së shkuarës dhe të tashmes, si dhe projeksionet që disa prej këtyre sferave kanë për të ardhmen. Këto reflektime janë shkruar në formën e një eseje narrative.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Uroš Popadić, Beograd, Serbi

Uroš Popadić është kandidat për doktoraturë në shkencat politike në Universitetin e Beogradit, me fokus në studimet e paqes dhe sigurisë, ku është duke hulumtuar rolin e BE-së në ndërtimin e paqes në Ballkanin Perëndimor. Në fakultet është i angazhuar në projektin e Qendrës për Studime të Paqes (Indeksi Global i Paqes) dhe Qendrës për Sigurinë Ndërkombëtare. Është kryetar i forumit Hulumtues të Lëvizjes Evropiane në Serbi, ku po ashtu është edhe pjesë e projektit të Institutit Evropian për Paqe, i cili merret me bashkëpunimin dhe pajtimin rajonal. Urosh ka botuar dy libra në Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim, si dhe disa artikuj shkencorë. Urosh ka hulumtuar se si kultura dhe bashkëpunimi ndërkulturor mund të kontribuojnë në pajtim, përmes një analize të përpjekjeve për ndërtimin e paqes midis organizatave kulturore dhe të shoqërisë civile në Beograd dhe Prishtinë. Hulumtimi i tij është bazuar në intervista të bazuara në teoritë e identitetit social dhe kulturës së paqes. Ai është fokusuar në mënyrën se si përjetohen idetë, narrativat, identitetet dhe konceptet në imagjinatën popullore, duke i parë ato përmes prizmit të kërkimit të një identiteti të përbashkët europian. Ka gjetur shumë ngjashmëri mes dy komuniteteve, me një interes të përbashkët për bashkëpunim në fushën e artit dhe kulturës. Po ashtu, ka arritur deri tek përfundimi se të dy komunitetet ndajnë të njëjtat frikë dhe shqetësime në lidhje me pajtimin politik, me ç’rast retorika negative zyrtare dëmton paqen e ndërsjellë.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Albina Kastrati, Podujevë, Kosovë

Albina Kastrati është një gazetare e re me përvojë në aktivizmin dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka diplomuar në gazetari në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar në Gazeta 10, ndërsa ka bërë edhe praktikë në Deutsche Welle. Përveç kësaj, ajo ka kryer një praktikë tetë mujore në Radio Evropa e Lirë, ndërsa aktualisht është e angazhuar në BIRN. Falë angazhimit të saj në portalin e Drejtësisë Tranzicionale Ballkanike, ajo ka përmirësuar aftësitë e saj hulumtuese dhe të shkrimit krijues, si dhe të kuptuarit e çështjeve rajonale. Është e përkushtuar ndaj integritetit gazetaresk dhe përdor hulumtime, tregime dhe njohuri kulturore për të informuar dhe fuqizuar lexuesit/et e saj. Përvoja e saj në Radio Evropa e Lirë ka zhvilluar më tej kompetencat e saj, duke theksuar përkushtimin e saj ndaj gazetarisë së saktë dhe etike. Puna e saj hulumtuese në kuadër të Heartefact-it fokusohet në dinamikën komplekse të integrimit dhe identitetit në Ballkan, veçanërisht në mesin e komuniteteve shqiptare dhe serbe. Nëpërmjet historive dhe përvojave personale eksploron sfidat e integrimit, përballjen me dallimet kulturore, tensionet historike dhe keqkuptimet midis asimilimit dhe integrimit.
Mund ta shkarkoni PDF-në KËTU.
Ky program u realizua si pjesë e projektit “Përmirësimi i Bashkëpunimit Ndërkufitar dhe Angazhimit Qytetar në Ballkanin Perëndimor,” i cili zbatohet nga Heartefact me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).