Në kuadër të gjeneratës së re të Programit të Kosovo–Serbia Fellowship, Heartefact ka përzgjedhur katër pjesëmarrës/e, të cilët/at do të eksplorojnë aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe do të punojnë në zhvillimin e narrativave të reja dhe konstruktive.
Fokusi tematik i këtij cikli është dimensioni ekonomik dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik, si dhe iniciativat e udhëhequra nga të rinjtë që synojnë pajtimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shoqërive.Gjatë periudhës tre-mujore të hulumtimit, pjesëmarrësit/et do të kenë mundësinë të kalojnë një muaj në Kosovë ose në Serbi. Si pjesë e programit, ata do të angazhohen me perspektiva të ndryshme, do të zhvillojnë hulumtimin e tyre dhe, përmes punës së tyre, do të kontribuojnë në analizimin e narrativave dominuese dhe në krijimin e perspektivave të reja.
Katër pjesëmarrësit/et e përzgjedhur/a nga Kosova dhe Serbia janë:

Aleksandar Šljuka
Aleksandar Šljuka është menaxher i projekteve në New Social Initiative (NSI), një organizatë e shoqërisë civile me seli në Mitrovicën e Veriut, e cila punon me komunitetin serb të Kosovës dhe komunitete të tjera joshumicë në fushën e avokimit, monitorimit dhe ndërtimit të besimit. Šljuka ka përfunduar studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Beogradit dhe aktualisht është duke ndjekur studimet e doktoratës në Studime Ndërkombëtare dhe Evropiane si bursist i OSBE-së.
Projekti i tij kërkimor shqyrton mënyrën se si ngërçi i përgjithshëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi ndikon në kushtet e përditshme ekonomike në këto dy komunitete, duke përdorur një qasje paralele krahasuese. Në vend që të fokusohet në tregtinë e drejtpërdrejtë ndërmjet veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, projekti analizon se si kufizime të ngjashme strukturore, si barrierat administrative, kufizimet financiare, paqartësitë rregullatore dhe pasiguria institucionale shfaqen në mënyra të ndryshme në secilin kontekst, si dhe se si aktorët ekonomikë në secilën zonë kanë zhvilluar mënyra të ngjashme për t’iu përshtatur këtyre kushteve.
Fjalë kyçe: marrëdhënie ndërkombëtare, ekonomi
Vjosa Çerkini
Vjosa Çerkini është gazetare e vlerësuar me çmime të shumta, reportere hulumtuese dhe autore e filmave dokumentarë. Në nivel ndërkombëtar, ajo punon në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të grave, konflikteve, krimit të organizuar dhe drejtësisë sociale, duke kontribuar për media si Deutsche Welle, SWR, ARTE, ZDF dhe MDR. Ajo është përfaqësuese evropiane e Women’s Voices Now, një organizatë me seli në Los Anxhelos që mbështet regjisoret në mbarë botën. Ajo mentoron gra dhe vajza të reja në fushën e gazetarisë dhe filmit dokumentar në të gjithë Evropën dhe Afrikën. Në vitin 2025, ajo u vlerësua me çmimin Trustbuilding Media Champion për kontributin e saj në promovimin e dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ky projekt dokumenton praktikat e pajtimit të udhëhequra nga të rinjtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shqyrtuar mënyrën se si këto përpjekje paraqiten ose anashkalohen në narrativat kryesore mediatike në të dyja anët. Hulumtimi do të fokusohet veçanërisht në shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe lokale, komunitetet lokale dhe komunitetet joshumicë, kulturën e kujtesës, si dhe perspektivat që shpesh janë të nënpërfaqësuara në diskursin dominant politik dhe mediatik. Projekti është zhvilluar në bashkëpunim me Maria Popović.
Fjalë kyçe: media, pajtim

Maria Popović
Maria Popović është gazetare, redaktore dhe profesioniste e shoqërisë civile me më shumë se 20 vjet përvojë në gazetari dhe media. Ajo është kryeredaktore e portalit të pavarur lokal të lajmeve Pravo u centar (Drejtë në qendër) dhe një nga bashkëthemelueset e organizatës së shoqërisë civile Centre for Growth and Development. Puna e saj fokusohet në gazetarinë në interes të publikut, llogaridhënien në nivel lokal, të drejtat e njeriut, lirinë e medias, transparencën dhe çështjet me rëndësi për komunitetin. Ajo ka përvojë të gjerë në raportim, koordinim editorial, gazetari hulumtuese dhe punë në terren, si dhe në bashkëpunimin me organizata të shoqërisë civile dhe rrjete mediatike. Përmes punës së saj, ajo është veçanërisht e interesuar për mënyrën se si narrativat mediatike ndikojnë në kuptimin publik të çështjeve të ndjeshme shoqërore dhe politike, si dhe për mënyrën se si zërat lokalë dhe të nënpërfaqësuar mund të përfshihen në diskursin publik.
Projekti dokumenton praktikat e pajtimit të udhëhequra nga të rinjtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shqyrtuar mënyrën se si këto përpjekje paraqiten ose anashkalohen në narrativat kryesore mediatike në të dyja anët. Hulumtimi do të fokusohet veçanërisht në shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe lokale, komunitetet lokale dhe komunitetet joshumicë, kulturën e kujtesës, si dhe perspektivat që shpesh janë të nënpërfaqësuara në diskursin dominant politik dhe mediatik. Projekti zhvillohet në bashkëpunim me Vjosa Çerkini.
Fjalë kyçe: media, gazetari, marrëdhënie ndëretnike
Sefer Zogaj
Sefer Zogaj është gazetar i ekonomisë dhe hulumtues i politikave publike. Ai punon si gazetar në Gazeta Express dhe kontribuon gjithashtu për Sbunker, një platformë mediatike kritike në Kosovë, si dhe për Monitor, një nga revistat kryesore ekonomike me seli në Tiranë, ku mbulon Kosovën në kuadër të rubrikës për Ballkanin Perëndimor si dhe ka përfunduar studimet master në Marketing në Universitetin e Prishtinës. Zogaj është gjithashtu autor i filmit dokumentar Silent Stories, i cili trajton sfidat ekonomike, të drejtat e punëtorëve dhe drejtësinë sociale, si dhe koordinator i platformës IdeoNgritja, e cila është e përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.
Projekti kërkimor shqyrton dimensionin ekonomik të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u fokusuar në mënyrën se si tensionet politike ndikojnë në zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin rajonal

dhe perceptimet e publikut, një dimension që mbetet ende i paeksploruar sa duhet në diskursin publik dhe narrativat mediatike. Përmes analizës së të dhënave, intervistave me ekspertë dhe shqyrtimit të politikave publike, projekti synon të ofrojë raportim të bazuar në fakte dhe dëshmi, duke kontribuar në një debat publik më të informuar mbi mënyrën se si faktorët ekonomikë mund të thellojnë ndarjet ose të kontribuojnë në pajtimin në Ballkanin Perëndimor.
Fjalë kyçe: bashkëpunim ndërkombëtar, ekonomi, pajtim
The program was implemented within the project Fostering Cross-border Dialogue and Civic Engagement, carried out by Heartefact with the support of the National Endowment for Democracy (NED).