Për të tretin vit radhazi, Hartefakt organizoi një vizitë në DokuFest, festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren, e cila u zhvillua nga 8 deri më 11 gusht. Grupi i këtij viti nga Serbia përbëhej nga profesionistë të rinj dhe autorë e autore nga fushat e regjisës së filmit, dramaturgjisë, gazetarisë dhe kulturës.
Gjatë vizitës në Prizren, pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset patën mundësinë të njihen me qytetin, si dhe me akterë të rëndësishëm të skenës kulturore lokale. Me drejtoreshën ekzekutive të DokuFestit, Linda Llulla Gashi, biseduam për historinë e festivalit, prodhimin dhe programin aktual të edicionit të tij jubilar të 25-të, ndërsa Vatra Abrashi, bashkëthemeluese e Autostrada Biennale, na prezantoi punën e deritanishme të platformës, ekspozitat dhe bashkëpunimet e saj më të rëndësishme. Autostrada Biennale është një platformë e artit bashkëkohor që lidh praktikat artistike ndërkombëtare me kontekstin lokal.
Përveç ditëve të plota me shfaqje filmash dhe panele që trajtonin tema si përballja me të kaluarën, ekonomia dhe luftërat, pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset patën mundësinë të ndiqnin edhe masterklasën e Sophie Fiennes, një prej autoreve më të vlerësuara britanike të filmave dokumentarë, si dhe koncertin e artistes së re irlandeze Naoise Mac Cathmhaoil. Pjesëmarrësit e programit gjithashtu morën pjesë në një shfaqje të veçantë filmi dhe patën mundësinë të bashkëbisedojnë me regjisorin dhe shkrimtarin Mark Cousins, i cili foli për rëndësinë dhe historinë e filmit dokumentar.
Programin e përmbyllëm me një takim me alumni tanë të Rrjetit Kosovë–Serbi, Bengi Muzbeg nga Lumbardhi Foundation dhe Tevfik Rada nga Pykë-Presje. Ata theksuan rëndësinë e Kinemasë Lumbardhi, e cila aktualisht është në proces të renovimit, dhe prezantuan punën e organizatave të tyre. Ky takim i ndihmoi të rinjtë nga Serbia të kuptonin më thellë kontekstin kulturor, por edhe atë politik të Kosovës.
Përmes këtyre vizitave të vazhdueshme, Hartefakt vazhdon t’u ofrojë të rinjve nga Serbia dhe Kosova hapësirë për t’u njohur, për të zhvilluar dialog dhe për të shkëmbyer përvoja, me qëllim të forcimit të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të lidhjeve kulturore. Përmes takimeve me artistë e artiste, shfaqjeve të filmave, njohjes me institucionet kulturore lokale dhe eksplorimit të qytetit të Prizrenit, pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset e programit visiting të Hartefakt patën mundësinë të kuptonin më mirë rolin e skenës së pavarur kulturore në krijimin e hapësirave për dialog dhe bashkëpunim.
Vizita u realizua në kuadër të projektit “Fostering Cross-border Dialogue and Civic Engagement”, të cilin Hartefakt e zbaton me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).


















