Projekti Kultura për Zhvillim synon të mbështesë iniciativat kulturore dhe artistike që amplifikojnë zërat kritikë dhe promovojnë përfshirjen, diversitetin dhe barazinë, duke reflektuar diversitetin e pasur të popullsisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo thirrje kërkon projekte që prodhojnë dhe promovojnë perspektiva alternative dhe kritike, duke luajtur një rol jetik në rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e debatit publik për çështjet kryesore sociale, duke përfshirë inkluzionin, barazinë dhe drejtësinë sociale.
Projekte tematike: Projektet e pranueshme duhet të kultivojnë talent, shprehje dhe praktika artistike dhe kulturore inovative dhe të guximshme që sfidojnë narrativat mbizotëruese sociale dhe politike duke nxitur gjithashtu zhvillimin e skenës kulturore dhe artistike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kjo thirrje ka për qëllim projektet që përqendrohen në fusha të ndryshme të krijimtarisë kulturore dhe artistike bashkëkohore: artet interpretuese, artet pamore, letërsia, muzika, artet audiovizuale, komikët, fotografia, dizajni, politika kulturore dhe menaxhimi.
Aktivitetet e pranueshme për financim mund të përfshijnë: ekspozita, instalime, shfaqje, punëtori, ligjerata dhe/ose programe të ngjashme arsimore, debate dhe diskutime publike, prodhim audiovizual, kërkime artistike dhe kulturore, festivale, etj.
Zona gjeografike: Të gjitha aktivitetet duhet të zhvillohen vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Skema e Grantit Artistik do t’i japë përparësi organizatave mbështetëse nga skena e pavarur kulturore që zhvillojnë përmbajtje kulturore dhe artistike që adresojnë nevojat e komuniteteve lokale jashtë Shkupit. Një minimum prej 50% e projekteve të financuara duhet të zbatohet në qytete dhe rajone përtej kryeqytetit, ndërsa fondet e mbetura mund të ndahen për projekte brenda Shkupit. Organizatat me qendër në Shkup inkurajohen gjithashtu të aplikojnë për projekte që zhvillohen jashtë kryeqytetit.
Kjo skemë grantesh inkurajon bashkëpunimin midis organizatave dhe institucioneve kulturore, përfshirë komunat, në nivel lokal. Kjo skemë synon të mbështesë organizatat aktive në qytetet jashtë Shkupit për të adresuar nevojat dhe çështjet e shoqrore urgjente të komuniteteve lokale përmes shprehjes kulturore dhe artistike. Skema inkurajon aplikantët të bashkëpunojnë me institucionet kulturore lokale për të shfrytëzuar hapësirat publike, duke ndihmuar në uljen e shpenzimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit. Shpenzimet e pranueshme për bashkëprodhime mund të përfshijnë investime të vogla në pajisje teknike, të cilat organizatat mund t’i blejnë për institucionet kulturore publike. Këto pajisje më pas do të vihen në dispozicion për përdorim nga organizatat, duke promovuar më tej ndarjen e burimeve dhe forcimin e bashkëpunimit midis sektorit të pavarur kulturor dhe institucioneve publike.
Organizatat mund të bashkëpunojnë në një projekt kulturor dhe artistik me organizata të tjera nëse kjo rezulton me përafrim më të mirë të objektivave dhe zbatim më efektiv. Partneritetet nuk janë të detyrueshme, por inkurajohen, kur është e përshtatshme.